Napoli, krizë pa fund, fati I Ancelottit kalon nga Genku, De Laurentis nis sondazhet

Nuk ka paqe në shtëpinë Napoli, barazimi në Udine pas një pjese të parë krejtësisht për t’u harruar thellon akoma më shumë një krizë që duket se nuk ka fund. Fitorja në kampionat për Napolin mungon që nga 19 tetori dhe një seri kaq negative në rezultat nuk shihej që nga viti 2010. A do të ketë ndryshime në stol? Mundet, por jo nga ana e Ancelotit që asnjëherë nuk e ka marrë në konsideratë idenë e dhënies së dorëheqjes dhe që pas ndeshjes deklaroi se e ndjen veten gjithnjë e më shumë të përfshirë  në projektin e skuadres sidomos tani që gjërat nuk po shkojnë mirë.

Nga ana e tij, De Laurentis e telefonoi trajnerin Italian teksa ai ishte në autobuis duke shkuar drejt aeroportit për të folur për ndeshjen e së shtunës, ndërkohë që ai nis të reflektojë për të ardhmen; ndeshja e së martës në Ligën e Kampioneve kundër Genk është vendimtare për ecurinë e Napolit në arenën evropiane, por edhe për fatet e trajnerit emilian.

Në këtë moment De Laurentis po merr kohë, por sipas asaj që publikohet te ‘Il Mattino’, ai tashmë ka nisur të bëjë sondazhet e tij duke studiuar kandidaturat për pankinën e Napolit. Ëndrra e tij është të sjellë në skuadër Masimiliano Alegrin, por ky I fundit do ta refuzojë ofertën pasi ka vendosur që të qëndrojë pushim deri në qershor. Por së fundmi po përmendet shpesh emri I Xhenaro Gatuzos. Sipas ‘Corriere Dello Sport’, ka pasur një kontakt me Zhorzh Mendes që ështe shumë pranë ish trajnerit të Milanit dhe mesazhi për De Laurentis është; asnjë kontratë 6 mujore. Për stolin e Napolit po flitet edhe për trajnerin e kombëtares shqiptare, Edy Reja që ishte në Dacia Arena të Udines

Sfidanti.al