Borusia e Dortmundit nuk e besonte as vetë se do të mund të shkëputej lehtë nga Bajerni në Bundesligë. Barazimi 2-2 në shtëpi me Hertën ishte vetëm konfirmimi i një dyshimi të përhershëm, të shprehur mirë nga Marko Rojs. “Në minutat e fundit ne luajtëm me naivitet”, – tha lojtari i kombëtares gjermane. “Ishin dy pikë të humbura”, – tha Mario Gëce, më në fund i kthyer në formë.
Naiviteti është njëri problem për Dortmundin e ri në moshë, por problemi tjetër ishte mungesa e sulmuesit kryesor, Pako Alkaser, i cili kishte dëmtim. Hera e parë këtë sezon në shtëpi që Dortmundi shënoi më pak se 3 gola, dhe hera e parë që ekipi Lysien Favrit nuk fitoi. “Galaktikët” për momentin “zbritën në Tokë”. Trajneri gjithsesi, nuk dorëzohet. “Ne luajtëm shumë mirë ndaj Hertës dhe patëm shumë raste, thjesht bëmë një gabim në fund”, – ishte analiza e tij.
Sfidanti.al