Talentin futbollistik të Raxha Naingolanit askush nuk e vë në dyshim, por temperamenti i tij i papranueshëm dhe mungesa e profesionalizmit janë arsyet kryesore që ky futbollist belg asnjëherë nuk e ka arritur nivelin e tij më të lartë dhe dhe nuk u thirr as në përfaqësuesen e Belgjikës në Botërorin e fundit të Rusisë. Luçiano Spaleti besonte se ai do të mund të nxirrte me të mirën nga Naingolani tek Interi, por ky futbollist nuk bën asgjë tjetër, veçse krijon probleme. Javën e kaluar, ai mungoi në stërvitje, sepse, sikurse tha edhe vetë, ishte i dëmtuar, por, ama, nuk mungoi asnjë ditë në diskotekat e Milanos dhe të periferisë së saj, ku, sikurse thonë dëshmitarët, nuk dukej se ai kishte ndonjë problem fizik!
Tabloidet (gazetat e ilustruara) të gadishullit të Apenineve kanë publikuar foto të Naingolanit, në zonën VIP të diskotekës “The Mad House” (Shtëpia e çmendur) në shoqërinë e fotografit të njohur italian, Fabricio Korona. Po ashtu, qarkulloi edhe një video, ku lojtari në fjalë tregohet duke u zënë me një tifoz që i kishte thënë Naingolanit që ai të shkonte në shtëpi dhe të flinte, sepse kishte ndeshje. Por, Naingolani ia ktheu tifozit, dike i treguar… gishtin e mesit!
Në një situatë, kur Interi e filloi fare keq sezonin e ri, duke u mundur nga Sasuolo, tifozët e tij janë tërbuar, kur shohin sesi e kalon kohën përforcimi më i shtrenjtë i këtij sezoni veror të transferimeve, për më tepër edhe duke u hequr si i dëmtuar.
Sfidanti.al