Muriqi: Ky gol është për Kosovën dhe Shqipërinë

Vedat Muriqi ka reaguar me emocion pas golit vendimtar ndaj Real Madridit, duke e kthyer momentin në një mesazh për të gjithë shqiptarët. Sulmuesi i Mallorca jo vetëm që ishte heroi i ndeshjes, por shfrytëzoi rastin edhe për të kërkuar falje pas zhgënjimit të fundit në arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për DigitALB, Muriqi theksoi se goli kishte një domethënie të veçantë:“Për Kosovën, për shtetin tim. Për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe që na kanë mbështetur. Më vjen keq që nuk arritëm të kualifikoheshim, as Kosova dhe as Shqipëria, por shpresoj që një ditë do të vijë momenti ynë.” Sulmuesi pranoi se kishte kaluar ditë të vështira, sidomos pas eliminimit nga Turqia dhe polemikave që pasuan.

“Kisha nevojë për këtë gol. Vij nga një javë shumë emocionale dhe isha i lodhur. Pata disa telashe pas finales me Turqinë, siç e keni parë, por dua ta mbyll këtë kapitull.”