Murinjo para Seviljes: Ëndrra për Championsin? Fillon në çerekfinale

“Të jesh favorit nuk do të thotë asgjë”. Këto janë disa nga fjalët që Zhoze Murinjo tha në konferencën për shtyp, ndërsa ndodhet në Sevilje, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve. Mançester Junajtid jepet si favorit ndaj spanjollëve, diçka normale, por pa shumë rëndësi për trajnerin portugez.

“Sevilja ka lojtarë me cilësi të lartë, – vazhdoi “Mou”, – për më tepër, ka një trajner italian si Montela, që di t’i bëjë mirë gjërat. Nuk është si në Angli, ku ekspertët thonë se dy lojtarët e krahut nuk mund të mbrojnë”. A ëndërron Zhoze ta fitojë Championsin e tretë si trajner? “Ëndrrat zakonisht fillojnë në çerekfinale, – tha ai, gjysmë me shaka, dhe gjysmë seriozisht, – ne nuk jemi ende aty. Championsit që kam fituar janë të ndryshëm, Porto ishte skuadër e re, ndërsa Interi me përvojë”.

Së fundi, Murinjo sqaroi se Pol Pogba është gati, po ashtu si edhe lojtarët e tjerë me probleme fizike si Rashford apo Herrera.

Sfidanti.al