Messi kampion dhe në financa; sportisti më i paguar i vitit

Nga të gjithë sportistët e kësaj bote, Lionel Messi është sportisti që ka siguruar më shumë të ardhura në periudhën qershor 2018-qershor 2019. Kjo është ajo që publikon revista amerikane ‘Forbes’ që në të vërtetë është e specializuar në këtë pikë. Sipas kësaj reviste, Messi gjatë kësaj periudhe ka përfituar 112 milionë Euro(127 milionë Dollarë), nga të cilat 81 milionë i ka marrë në formën e pagës dhe bonuseve, ndërsa 31 milionë nga sponsorët.

Në vendin e dytë nuk gjendet askush tjetër përvecse Kristiano Ronaldos me 96 milionë Euro, ndërkohë që podiumin e plotëson Nejmar me 92 milionë me brazilianin që është ai që siguron më pak të ardhura nga publiciteti në krahasim me dy të parët.

Në dhjetëshen e sportistëve më të paguar të ‘Forbes’ janë edhe boksieri Kanelo Alvarez, tenisti Roxher Federer, Rasëll Uilson, Aron Roxhers dhe basketbollistët LeBron Xhejms, Stiven Kërri e Kevin Durant. Ndërsa në Top 100 të këtij klasifikimi janë edhe spanjollët Rafael Nadal, Andres Iniesta e Mark Gasol si dhe emra të tillë si Grizman, Bejl, Ozil apo dhe Pogba.

sfidanti.al