Mesi përjeton një skenë unike: E duartrokasin tifozët kundërshtarë!

Lionel Mesi shënoi një gol antologjik, me të cilin u mbyll ndeshja mes Betisit dhe Barcelonës (1-4), një gol ky që i garantoi faqet e para të të gjitha gazetave kryesore sportive spanjolle. Ai arriti që ta mposhtë në një mënyrë mjeshtërore portierin kundërshtar, Pau Lopez, saqë reagimi i tij mosbesues mbas golit të Mesit u bë një hit i vërtetë në rrjetet sociale.
Në fakt, ndaj “kryeveprës” së re të Mesit nuk mbeti indiferent askush në stadiumin e Betisit. Tifozët vendas treguan madhështinë e tyre, duke e duartrokitur Mesin, ndërkohë që mbas ndeshjes qarkulloi një video, ku tregohej me zë se shumë tifozë në stadiumin “Benito Vilamarin” brohorisnin “Mesi, Mesi”!
Me të vërtetë është një ndjenjë e veçantë, kur juve ju brohorisin tifozët në stadiumin e ekipit kundështar dhe Mesi mbas ndeshjes vuri në dukje se asnjëherë më parë atij nuk i kishte ndodhur kjo gjë:
“Me të vërtetë, unë nuk mbaj mend që të ketë ndodhur diçka e tillë e ngjajshme. Në fakt, sa herë që kemi ardhur në këtë stadium, neve na kanë pritur mirë. Jam, me të vërtetë, i kënaqur”.
Sfidanti.al