Atij vetë iu desh pak kohë që t’i merrte “masat” Ligës së Parë të Francës. Për këtë arsye, Lionel Mesi, e admiron jashtë mase rivalin e tij të madh, Kristiano Ronaldo, për shpejtësinë e përshtatjes në Premier Ligë, në kampionatin më të fortë të botës. Këtë, superylli argjentinas i Paris SG, e deklaroi për gazetën “Marka”. “Që në fillim ai (Ronaldo) shënoi gola dhe nuk e pati problem të përshtatej, – tha Mesi, – në Premier Ligë nuk është e lehtë sepse është një konkurrim shumë i fortë, në të cilin duhet kohë që të përshtatesh. Pas dhjetorit gjërat ndryshojnë, por Kristiano është përshtatur që në fillim”. Lidhur me rivalitetin mes tyre, ish-kapiteni i Barcelonës thotë se “ai i përket historisë”. “Ishte një skenë shumë e bukur për ne, por edhe për njerëzit sepse ata e pëlqyen shumë atë që ndodhi, – u shpreh Mesi, – ajo gjë do të mbetet në histori”.
Sfidanti.al