Meshkujt kundër femrave; Anglia zbulon diferencat e mëdha në futboll

Në Angli po del në dritë pabarazia që ekziston mes futbollit të meshkujve dhe atij të femrave edhe pse ky i fundit duket se po fiton cdo ditë e më shumë rëndësi. Në 4 maj do të luhet finalja e FA Cup për femra mes Uest hamit dhe Mancester Sitit, një ndeshje kjo që më shumë do të luhet për krenari sesa për përfitime financiare.

Tashmë është mësuar edhe shpërblimi i akorduar për klubin që do të mundë të ngrejë trofeun që është vetëm 28 mijë Euro, një shifër kjo e papërfillshme kur e krahason me atë që do të përfitojë skuadra fituese e futbollit të meshkujve; 3 milionë Euro.

Shifra qesharake prej 28 mijë Eurosh do të ndahet mes futbollisteve dhe stafit teknik që nuk do të ndihmonte ato as për të paguar pushimet. Por një tjetër aspekt që ka hapur debatin për diferencat në trajtim mes futbollit të femrave dhe të meshkujve është edhe ai i orarit të ndeshjes. Finalja e FA Cup të femrave do të luhet në të njëjtën ditë me sfidat e Premier Leagues Manchester City-Leister në orën 13:30 dhe Uest Hem-Sauthempton në 16:00. Në Uembli finalja e Kupës së Anglisë për femra do të luhet në orën 18:30 kohë kjo që duket se nuk është e mjaftueshme për tifozët që të arrijnë në stadium

sfidanti.al