Menoti dhe Biljardo të njëzëshëm: Pa Mesin ne jemi askush dhe asgjë!

Më pak se dy muaj nga fillimi i Kupës së Botës Rusi-2018, në Argjentinë po bien me forcë këmbanat e alarmit, pasi një nga ekipet që pretendohet se do të jetë një nga favoritët kryesorë, me lojrat e tij po tregon se nuk është aspak i tillë. Në ndeshjen e fundit miqësore të Argjentinës që ajo e humbi për turp me rezultatin e thellë 6-1 nga Spanja, loja e ekipit “gauços” jo që linte për të dëshiruar, por ai u mposht në të gjithë drejtimet, madje u poshtërua, saqë e detyroi lojtarin e tij kryesor, Lionel Mesi, që po e ndiqte ndeshjen nga lozha e stadiumit, të ngrihej nga vendi dhe të largohej pa mbaruar ajo.

Megjithëse ndeshja ishte miqësore, rezultati nuk ishte i tillë dhe askujt në Argjentinë nuk i erdhi mirë nga ky përfundim, për më tepër, atyre që e njohin mirë futbollin.

“Mesi është më i miri në botë dhe ai është arsyeja që ne mbërritëm deri në finale të Botërorit të Brazilit, më 2014. Me të në përbërje, përfaqësuesja jonë bëhet 100 për qind më e mirë. Humbja nga Spanja ishte dramatike. Trajneri Sampaoli duhet të nxjerrë mësimet e duhur nga leksioni i fortë që mori. Tani, është koha që Sampaolo ta justifikojë pozitën e tij, duke marrë vendimet e duhur”, vuri në dukje Cezar Luis Menoni (tani 79 vjeç) që ka drejtuar Argjentinën, kur ajo fitoi Kupën e Botës në vitin 1978.

Por, nëse gjuha e Menotit duket si një retorikë e butë, ajo e trajnerit tjetër argjentinas, Karlos Biljardo, që e çoi Argjentinën drejt titullit të dytë botëror, më 1986, ishte shumë më e ashpër, “Që nga viti 1990, futbolli argjentinas po njeh vetëm rënie. Nuk do të komentoj lojtarët, pasi ata janë, me të vërtetë, të mirë. Por, është fakt se futbolli ynë vazhdimisht po shpërbëhet. Ne kemi futbollistin më të mirë në botë dhe, për këtë arsye, ne arritëm deri në finale të Kupës së Botës, më 2014, ndërkohë që edhe në Kupën e tanishme të Botës ne marrin pjesë për hir të tij. Sampaoli besoj se e ka të qartë se, kur mungon Mesi, ne nuk përbëjmë më ndonjë fuqi futbolli. Sampaoli duhet të reagojë dhe të ngjallë reagime edhe të lojtarët”, tha Biljardo.

Sfidanti.al