Inter dhe Mauro Ikardi për momentin janë të përqendruar tek një objektiv i përbashkët; kualifikimin në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm, megjithate sezonit po i vjen fundi dhe palët duhet të diskutojnë për të ardhmen; nëse do të ketë vazhdim të bashkëpunimit apo rrugët mes tyre do të ndahen. Janë 3 klube në garë për shërbimin e sulmuesit argjentinas, kartoni i të cilit aktualisht vlen 70 milionë Euro, por duket se në këtë moment Ikardi ka më shumë mundësi që të qëndrojë në Milano.
Dy klube janë jashtë Italisë, më konkretisht në Spanjë dhe në Francë. Në vendin iberik është Atletiko Madrid që e ka vënë në shënjestrën e tij Mauro Ikardin. Situata e fundit e krijuar me Diego Kostën ka bërë që Los Colchoneros të jenë akoma më këmbëngulës për të tentuar blerjen e Ikardit. Zyrtarish klubi madrilen nuk ka bërë asnjë lëvizje, por interesi i Diego Simeones bëhet gjithnjë e më konkret.
Përsa i përket Paris Sën Zhermenit, sipas Gazzetta Dello Sport, e ka vënë futbollistin në krye të listës së dëshirave për të përforcuar repartin ofensiv. për momentin ende nuk mund të flitet për tratativa, por Ikardi mund të përfshihet në një shkëmbim me Edinson Kavanin ose thjesht për të zëvendësuar El Matador që është i destinuar të lërë kryeqytetin francez në një mënyrë apo tjetrën
Është edhe një skuadër tjetër që ka shfaqur interesin për Mauro Ikardin dhe bëhet fjalë për Juventusin. Sot për sot një kalim i tij në Torino duket si dicka tepër e guximshme për t’u kryer, por në futboll e sidomos në merkaton e transferimve, gjërat mund të ndryshojnë në mënyrë radikale në 2 muaj sidomos nëse Paula Dibala vendos që të largohet nga klubi bardhezi.
sfidanti.al