Manchester United vazhdon përpara me Erik ten Hag. “Djajtë e Kuq” kanë rinovuar kontratën me teknikun holandez deri në verën e vitit 2026. Shumë u përfol për një largim të 54-vjeçarit, por fitimi i FA Cup në finalen përballë Manchester Cityt vulosi “fatin” e tij në “Old Trafford”. Aty ku sipas kontratës së re të firmosur me klubin ishullor, trajneri tulipan do të qëndrojë të paktën edhe dy vite. Ten Hag mban postin e trajnerit të skuadrës me më shumë tifozë në planet prej verës së vitit 2022. Gjatë këtyre dy sezoneve, ish-trajneri i Ajaxit ka udhëhequr United drejt fitimit të EFL Cup (2023) dhe FA Cup (2024). Tifozët ëndërrojnë titullin kampion, që u mungon prej sezonit 2012/2013, kur “armata” e drejtuar nga Sir Alex Ferguson siguronte trofeun numër 20 në histori.
sfidanti.al