Man.United pa mëshirë ndaj Tottenhamit të Jose Mourinhos

Manchester United përfion nga humbja e Leicester me West Ham 3-2 dhe përforcon vendin e dytë në Premier League angleze pas fitores së arritur ndaj Tottenhamit në fushën e skuadrës londineze me rezultatin 3-1. Kulmi i parë i emocioneve u regjistrua pak pas gjysmës së orës me nga një episode për secilan skuadër. Në fillim Cavani shënon gol për United, por futbollistët e Hotspurs u ankuan për një goditje të McTominay ndaj Son, VAR sinjalizoi arbitrin që anuloi golin. Më pas ishte Tottenhami që shënoi pas një aksioni të bukur me Son pas kombinimeve me Kane dhe Lucas dhe Hotspurs merr avantazhin në 1-0.

Në këtë pikë u duk se Djajtë e Kuq po vuanin lojën jo të mirë të disa prej individëve, por janë pikërisht këta të fundit që në minutën e 57 barazuan rezultatin në 1-1, goli nisi nga Bruno Fernandes, më pas Fred që bëri kombinim me Cavanin që goditi mbi Lloris, topi kthehet te braziliani që shënoi me portierin në tokë. Më vonë ishte Cavani që shfrytëzoi një krosim të Greenwood duke shënuar golin që përmbysi rezultatin në 2-1. Në minutën e 96 ishte pikërisht Greenwood që vulosi fitoren 3-1 të Manchester United ndaj Tottenhamit që tani janë 6 pikë prapa zonës Champions.

Sfidanti.al