Liverpool interesohet për një trajner holandez

Ruben Amorim, trajneri i Sportingut të Lisbonës ishte i preferuari i drejtuesve të Liverpool për të zëvendësuar Jurgen Klopp. Mirëpo, luzitani para disa ditësh theksoi se cikli i tij me Sportingun nuk kishte përfunduar dhe në këtë formë, alternative e Amorim duket se është zbehur për “The Reds”. Drejtuesit anglezë po lëvizin me shpejtësi për të gjetur një tjetër alternativë dhe së fundmi, flitet për Arne Slot të Feyenoord. 45-vjeçari, mbahet si një nga trajnerët më me perspektivë në Holandë duke i dhuruar Feyenoord vitin e kaluar titullin kampion ndërsa këtë sezon, Kupën e Holandës. Arne Slot, ishte në fokusin e klubeve të Premier League verën e shkuar teksa Chelsea dhe Tottenham e shqyrtuan si mundësi firmën me të, por në fund nuk u arrit marrëveshje. Megjithatë, këtë verë mund të jetë momenti i duhur që Arne Slot të marrë drejtimin e Liverpool dhe të provojë aftësitë e tij në një nga kampionatet më elitare të Europës.

sfidanti.al