Zidani është trajneri i duhur për PSG-në, por Mbape do të largohet

Nga Franca thonë se vendimi për të ardhmen e yllit 22-vjeçar nuk do të varet aspak nga ai që do të jetë në stol, pavarësisht emrit të tij. Me gjasë, Kilian Mbape e ka ndarë mendjen me kohë për t’u larguar nga Paris SG dhe për të luajtur në një ligë më të fortë, siç është ajo spanjolle. Po ashtu, në një ekip më të ekuilibruar dhe me më shumë shanse për të fituar Championsin, siç është Reali.

Zinedin Zidan pritet të bëhet trajneri i ri i parizienëve, dhe ka pasur bisedime sipas mediave, porse as ai nuk do të ketë shkopin magjik për të bindur Mbapenë. Zizuja mund të arrijë të krijojë një skuadër duke bashkuar më shumë yjet në përbërje të saj, por nuk mund të ndryshojë cilësinë e kampionatit francez në krahasim me La Ligën. Po ashtu, shanset e Mbapesë për të qendruar u zhdukën që të gjitha me afrimin e Lionel Mesit në verë. Sot, të gjithë analistët thonë se problemi më i madh i PSG-së është se treshja e sulmit nuk mbron, dhe se në nivele të larta nuk mund të mbrosh me 3 lojtarë mangut. Pa Mesin, do të ishin dy, Mbapeja dhe Nejmari.

Sfidanti.al