Nejmari nuk luajti në ndeshjen e fundit që PSZH-ja e fitoi thellë, duke mundur 4-0 Sent Etienin, por e ndoqi atë nga tribuna, ndërkohë që nuk duket se ai ka ndonjë dëmtim. Trajneri gjerman i klubit francez, Tomas Tuhel, e “ngriti perden” pak lidhur me mungesën tij.
“Ju pyesni, nëse ne po e ruajmë Nejmarin për ndeshjen kundër Liverpulit në Ligën e Kampioneve? Ju, keni pjesërisht të drejtë. Bisedova me të, pasi ai u kthye nga përfaqësuesja e Brazilit që zhvilloi ndeshje miqësore. Në fakt, ai u kthye gati në fund të javës, kështu që unë i thashë atij që ai më mirë të mos luante ndaj Sent Etienit dhe të mos stërvitej, por të pushonte. Por, ai doli dhe bëri stërvitje të plotë”, tha Tuheli mbas ndeshjes, duke shtuar:
“Kur unë e pyeta paradite ditën e ndeshjes sesi ishte, pasi më tha se nuk kishte fjetur dot natën, ai vuri në dukje se nuk dine se çfarë përgjigje të më jepte. Kështu, në kokën time u ndez alarmi. Ai kishte luajtur 90 minuta dy ditë më parë me Brazilin. Nuk doja që të rrezikoja dhe nuk e futa në lojë”, tha Tuheli.
Sfidanti.al