Nuk ishte një fillim i lehtë sezoni për skuadrën më të pasur të Francës. Trajneri Unai Emeri provoi se nuk është e lehtë të transferosh suksesin nga Spanja në Francë, edhe pse liga e parë franceze teorikisht është më pak e fortë sesa Liga iberike. Ish-trajneri i Seviljes kishte ardhur në Paris me imazhin e një profesori, imazh i krijuar edhe nga kontributi i tij teorik për futbollin.
Paris SG kishte nevojë për një lloj tjetër trajneri dhe spanjolli e kuptoi këtë menjëherë. Gazeta “L’Ekip” tregon se kthesa ndodhi një ditë të hënë pas humbjes së rënë në kampionat me Tuluzën (0-2, 23 shtator). Pasi doli përballë lojtarëve të tij në stërvitje, Emeri foli prerë, ndonëse duke ruajtur qetësinë, duke i treguar se çfarë priste prej tyre. Një spjegim i saktë, i përmbledhur që dha efekt dhe sot PSG po ecën me hap drejt kreut.
Nisa kryesuese ka vetëm 3 pikë më shumë, edhe pse kjo gjendje nuk mund të kënaqë pronarët miliarderë të klubit parizien. Gjithsesi, Emeri sapo e ka nisur procesin e tij, në një ekip që u duk si jetim pas largimit të lojtarit kryesor, Zllatan Ibrahimoviç, tek Mançester Junajtid.
Sheiku Al Helaifi nuk është i kënaqur vetëm me trofe në Francë, dhe ishte kjo arsyeja që u largua Blanku dhe erdhi Emeri. Spanjolli me Seviljen fitoi tri herë radhazi Ligën e Europës, diçka që Al Helaifi shpreson ta përsërisë në Paris, veçse në Ligën e Kampionëve. Si fillim, Emeri e ka nisur me mbrojtjen, por shpejt pritet që frytet të shihen edhe në sulm dhe PSG shpreson të bashkohet me Çelsin, të vetmin ekip që theu monopolin e të mëdhenjve në Champions në vitin 2012, duke e fituar trofeun e madh për herë të parë në histori.