Ligën franceze nuk duhet ta diskutojnë, madje duhet të jenë aq të fortë sa të fitojnë edhe Championsin. Kjo është detyra që i është dhënë Paris SG dhe trajnerit Unai Emeri nga pronari dhe presidenti, Al Helaifi, dhe bordi drejtues, por a po i respekton parashikimet skuadra kryeqytetase?
Jo edhe aq kur humb për së dyti herë në Ligën e Parë në 22 ndeshje të luajtura, dhe kur pas disfatës ndaj një ekipi modest, vjen “dajaku” ndaj rivalit Lion. Vendasit shënuan që në fillim me anë të Nabil Fekirit, si dhe siguruan tri pikët në minutën e 94-ët, me një “predhë” të Memfis Depait të ardhur nga Man. Junajtid.
Paris SG ishte në Lion pa Nejmarin e dëmtuar, ndërsa mbeti shpejt me 10 lojtarë kur Dani Alvesh mori direkt të kuqin në 57’, pas një debati me gjyqtarin. Kilian Mbape u nxorr nga loja po ashtu shpejt, që në minutën e 36-të dhe nga treshja MCN mbeti vetëm “C”-ja, pra Kavani. Parizienët arritën të barazonin përkohësisht me anë të “silurit” të Kurzauës, ndërsa mbeten në krye me 56 pikë, 8 më shumë se Lioni. Barazimi në Marsejë, humbja në Strasburg dhe tani humbja në Lion kanë krijuar dyshime tek sheikët pronarë.
Sfidanti.al