Kur një skuadër kaq e madhe dhe e fuqishme bëhet “leckë” në një kampionat që duhej ta kishte dominuar pa asnjë problem, pyetja vjen vetvetiu. Çfarë po ndodh me Paris SG? Disfata me Nantën në “Park dë Prensis” ishte e 7-ta këtë sezon në Ligën e Parë të Francës, ku parizienët kanë fuqi financiare sa të gjithe klubet e tjerë të marrë së bashku, por lojtarët janë të shpërqëndruar për probleme jashtë fushe.
Dhurata për Nantën duket se erdhi nga problemet jashtë fushe të parizienëve, siç e theksoi trajneri Maurisio Poçetino. Fjala është për vonesën e shpërblimit financiar për arritjen në finalen e Championsit vjet. “Lojtarët janë shumë të tronditur e të shqetësuar, – tha argjentinasi, – gjithsesi, ekipi ka qenë i shqetësuar edhe për gjëra të tjera që ju i dini. Nuk ka justifikim, por nuk ishim aq energjikë sa duhet. Fola me lojtarët pas ndeshjes, por jo për humbjen, por për gjërat e tjera, që duhet të zgjidhen”. Shpresa mbetet që drejtuesit ta zgjidhin shpejt këtë çështje, ndryshe rrezikohet titullin në Francë dhe ecuria në Champions.
Sfidanti.al