Për çfarë të mburren? Nejmar e Mbape mundën një ekip 20 herë më të varfër se PSG!

Kur i sheh dy ekipe që dalin në fushë dhe loja fillon, shpesh harron se nga vijnë dhe se çfarë përfaqësojnë. Paris SG dhe Anzheri u përballën në “Park dë Prensis” dhe përfundimi ishte 6-1 për vendasit, me dy gola të Nejmarit e një të Kilian Mbapesë, përveç të tjerëve. Superlativat mund të shkruhen e të titullohet se “në Paris u kthyen “mbretërit”, u kthyen fitoret e thella”, por duhet “gërvishtur” pak nën sipërfaqe për të kuptuar më mirë.

Përballë në Ligën e Parë të Francës ishte skuadra e një klubi me buxhet mbi 600 milionë euro, dhe e një tjetri me të ardhura vjetore jo më të mëdha se 30-35 milionë euro. Pra Nejmari e Mbapeja me shokë e treguan trimërinë me një skuadër 20 herë më të varfër sesa ata. Dikush mund të thotë, “po ç’na duhet ne kjo gjë, në fund vlen kush fiton”, por këtij dikushi duhet t’i themi se kur lufton në kushte të pabarabarta, edhe humbja më e thellë të duket të paktën si barazim, pse jo si fitore. Ndaj Anzherit, golat e tjerë për parizienët i shënuan Florenci, Draksler dhe Geje, ndërsa për miqtë realizoi Traore. PSG ka 12 pikë në 6 ndeshje (4 fitore, 2 humbje), Rena kryeson me 13 pikë në 5 ndeshje, ndërsa Lila ka 11 po në 5 ndeshje.

Sfidanti.al