Në fushë ishin Mbape dhe Nejmar, por fitues doli Fabregasi!

Për ata që kanë parë pjesën e parë, dhe pastaj janë larguar nga televizori, rezultati padyshim që duhet të ketë qenë një e papritur. Monako-Paris SG 3-2 ishte përfundimi i sfidës së Ligës së Parë të Francës, por vetëm pasi në 45 minutat e fillimit, skuadra kryeqytetase ishte në komandë të plotë. Jo vetëm sepse Kilian Mbape shënoi dy gola, por edhe sepse Moize Keanit iu anulua një gol, e po ashtu vetë Mbapesë, që të dy për pozicione jashtë loje.

Në fushë ishte edhe Nejmar, pra trajneri Tuhel ndoshta nuk duhet të ankohet shumë, por ajo që ndodhi pas pushimit mund të cilësohet një “fikje dritash”. Kevin Foland shënoi dy gola, ndërsa veterani Sesk Fabregas realizoi golin e fitores (në foto) 6 minuta para fundit. Pikërisht në atë moment kishte dalë nga fusha me të kuqe Diallo i PSG-së, një nga përjashtimet e shumta këtë sezon për kampionët. Mbape shënoi një supergol, por kjo nuk vlejti dhe tani diferenca mes dy ekipeve në tabelë është 4 pikë, PSG 24 e Monako 20. Gjithsesi, problem është gjendja psikologjike e ekipit parizien, pasi në mesjavë ka ndeshjen përcaktuese në Champions ndaj Lajpcigut, ndërsa është 3 pikë prapa gjermanëve dhe Mançester Junajtidit. Duhet fitore, ndryshe rrezikon eleminimin në grup.

Sfidanti.al