Mos vallë Vajnaldumi është një Kutinjo i ri pas largimit nga Liverpuli

Dëshira e tij fillimisht ishte që të luante tek Barcelona, atje ku shkoi edhe braziliani, por përfundimisht shkoi tek Paris SG. Gini Vajnaldum, mesfushori i Holandës, braktisi Liverpulin këtë verë duke pranuar oferta me shumë më tepër para, veçse pa kaluar disa muaj duket se nuk po ndihet mirë. “Nuk jam plotësisht i lumtur”, – tha ai, duke e shprehur me delikatesë pakënaqësinë, ndërsa shqetësimin për të e ka theksuar edhe trajneri i Holandës, Van Gal. Vajnaldumi nuk ka luajtur për 90 minuta në 8 ndeshjet e fundit të Paris SG dhe trajneri Poçetino nuk është se po e konsideron shumë për formacionin, që pas mbërritjes së Lionel Mesit. Treshja e sulmit Mesi-Nejmar-Mbape kërkon një mesfushë të ndryshme dhe “viktima” deri tani është holandezi. Nuk dihet nëse ai do të përfundojë si Filip Kutinjo që ishte një superyll në “Anfild”, por që thuajse e ka shkatërruar karrierën që pas largimit tek Barcelona.

Sfidanti.al