Kimbampe: Mjaft më, Nejmari atje, Nejmari këtu, Nejmari gjithandej!

Tanimë, nuk ka më dilema se Nejmari, për shkak të dëmtimit që pësoi në ndeshjen e fundit me Marsejën, nuk do të luajë në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet, mesjavën e ardhshme, në Paris, mes PSZH-së dhe Realit të Madridit në Champions. Qëkur, Nejmari është dëmtuar, ai ka zënë faqet e para të gazetave dhe kjo gjë duket se nuk u pëlqen shumë bashkëlojtarëve të tij që po e humbasin durimin.

Pyetjes së një gazetari të “Lë Parisienit” për Nejmarin, mbrojtësi Presenal Kimbampe (22 vjeç) iu përgjigj, duke shpërthyer: “Prapë, Nejmari, po çfarë  bëhet kështu, Nejmari atje, Nejmari këtu, Nejmari gjithandej, mjaft më, se latë nam!”, tha lojtari i mësipërm i PSZH-së, duke vazhduar më tej: “Nuk di se çfarë t’u them. Nëse thuhet se ai nuk do të luajë, atëherë, nuk do të luajë. Trajneri Emeri ka në dispozicion lojtarë të tjerë. Sigurisht që ne e dimë sesa i rendësishëm është Nejmari për ekipin dhe jemi të shqetësuar, por ekipi është mbi të gjitha dhe ne për të luajmë”, vuri në dukje Kimbampe.

Sfidanti.al