Pohon me “zemër në dorë” se nuk mund të jetë i përsosur, dhe shton se kjo gjë nuk është e mundur për qeniet humane. Tepër impulsiv dhe emocional Nejmar, që rrëfehet thellësisht në një intervistë për gazetën britanike “Deili Mirror”. “Bëra shumë gabime, – tha sinqerisht ai, – dhe nuk është e lehtë të rifitosh besimin në vetvete, por sidomos besimin e të tjerëve tek unë. Kur jam i shqetësuar, i stresuar, nxehem dhe shpërthej, nuk arrij ta mbaj veten dhe nuk komunikoj me korrektesë”.
Premtimi është se dëshiron të përmirësohet në këtë aspekt. Gjithsesi, përmirësimi ka nisur në fushën e lojës, pasi Nejmar po shënon gola vendimtarë dhe po udhëheq Paris SG drejt fitoreve në kampionat. “Po përpiqem të bëj maksimumin dhe futbolli po më ndihmon, – u shpreh numri 10, – falë këtyre gjërave po mësoj dhe e kam të qartë se çfarë dua. Dua që të jem futbollisti më i mirë i botës”. Gjithsesi, Nejmari nuk sqaroi se cila është dëshira për klubin e ardhshëm, PSG, Barcelona apo Reali i Madridit!
Sfidanti.al