E ardhmja e sulmuesit të rëndësishëm ishte në dyshim, dhe nga familja po hidheshin hipoteza të ndryshme. Gruaja dhe menaxherja e Mauro Ikardit, Uanda Nara, u shpreh më herët se burri i saj nuk do të vazhdonte në Paris, por dëshirën e kishte të kthehej në Milano, duke ngritur një “stuhi” hamendjesh. Nga “Park dë Prensis”, po ashtu, lihej të nënkuptohej se argjentinasi nuk ishte shumë i preferuar, që do të thoshte se nuk kishte gatishmëri për të paguar 70 milionë eurot e kartonit.
Gjithsesi, te klubi që zotëron ende të drejtat mbi këtë karton, pra tek Interi, foli zv. presidenti Havier Zaneti, dhe e bëri sërish gjithçka të qartë. “A mund të kthehet Ikardi tek Interi? – u pyet ai, – nuk e di, nuk mendoj kështu. Gjithsesi, për momentin, ne nuk po mendojmë për këto gjëra, por për shëndetin. Mund të them edhe që Lautaro Martinez është i lumtur tek ne”. Kjo, ndoshta bëri efekt, dhe lajmet janë që PSG po mendon të paguajë 65 milionë euro për kartonin e Ikardit, një sulmuesi që ka shënuar 17 gola në 26 ndeshje këtë sezon, edhe pse kohët e fundit ka luajtur pak. Nëse largohen Kavani, Nejmar apo edhe Mbape, Ikardi bëhet i rëndësishëm.
Sfidanti.al