U desh një presion i jashtëzakonshëm që kjo të ndodhte, por përfundimisht “u kry”. Totenhemi u detyrua të bënte prapaktheu për vendimin për të nxjerrë në asistencë punonjësit e zakonshëm të klubit, madje presidenti Daniel Levi ka shprehur keqardhjen për hapin e hedhur më herët. Spërsat kishin vendosur të shfrytëzonim ligjin britanik që lejon kompanitë t’i ngarkojnë shtetit 80 për qind të rrogës së punonjësve të tyre, në raste krizash, siç është kjo e koroanvirusit.
Gjithsesi, vendimi i klubit londinez u prit shumë keq nga publiku, po ashtu nga figura të shquara të futbollit në Britaninë e Madhe, ndërsa këtyre iu shtuan edhe grupet e tifozëve. Ishte pikërisht presioni i tifozëve, shkaku kryesor që Levi të ndryshonte mendje. Duket se Levi kuptoi se vendimi do t’i shkaktonte dëm të madh imazhit të Spërsave, gjë që do të ndikonte në financat e klubit në të ardhmen, e po ashtu në suksesin sportiv. Punonjësve do t’u paguhen plotësisht rrogat, të paktën për muajt prill dhe maj. E vërteta është që Levi është në borxh të madh për stadiumin e ri dhe për blerjet e realizuara kohët e fundit, por gjithsesi, kuptoi se dëmi do të ishte më i madh nëse do të mbante të njëjtin qendrim.
Sfidanti.al