Tri ndeshje pa fitore, madje me dy humbje, janë diçka që falen me vështirësi edhe në një ekip “normal”. Fatkeqësia e trajnerit spanjoll, Unai Emeri, është që ndodhet në drejtim të një skuadre aspak “normale”, si Paris SG. Kampionia e Francës, rivale e Barcelonës në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, u mund papritur në fushën e Gingompit, aspak njëri prej rivalëve më të mëdhenj të Ligue 1. Kjo, pas disfatës së rëndë 0-3 në Monpelje dhe barazimit 2-2 në “Park dë Prens” ndaj Nisës. Me siguri, ditët e ish-trajnerit të suksesshëm të Seviljes janë të numëruara. Nëse Monako mund Lionin dhe Nisa kalon Dizhonin, PSG do të mbetej 7 pikë prapa vendit të parë dhe 6 pas të dytit. Në stadiumin “Ruduru”, parizienët nuk shkëlqyen aspak, dhe ishin në barazim 0-0 derisa erdhën 4 minuta fatale. Janis Salibyr në 66′ dhe Vil De Pëv në të 70-ën minutë shënuan për vendasit. Më pas, Parisi u hodh në sulm me heroizëm, por erdhi vetëm goli i të zakonshmit Edinson Kavani, 10 minuta para fundit. Asgjë më shumë.