Ditë e madhe për Kavanin, rekord i golave, por jo shumë lumturi!

Edinson Kavani u bë shënuesi më i mirë në historinë e Paris SG pasi realizoi golin e parë në ndeshjen ndaj Monpeljesë në ligën franceze, veçse nuk u duk i lumtur. Edhe pse arriti 157 gola ndaj 156 të Zllatan Ibrahimoviçit, sërish pati një moment ku u dyshua shumë se uruguajani po bluante nga brenda.

Kjo, kur Nejmar mori përsipër dhe ekzekutoi një penallti. Braziliani është caktuar tashmë si ekzekutuesi zyrtar i penalltive tek PSG-ja dhe Kavani nuk ka protestuar, veçse fytyra e tradhëtoi në momentin kur numri 10 shkoi të gjuante nga pika e bardhë. Nuk është se pati debat, por nëse ka acarim, kjo nuk është gjë e mirë në prag të duelit me Realin në Champions.

Sidoqoftë, Kavani mbetet një sulmues i madh, që ka shënuar 350 gola në karrierë si profesionist, nga të cilët 310 me klubet dhe 40 me Uruguajin. Ai ka 157 tek PSG, 104 tek Napoli, 37 tek Palermo dhe 12 kur luante fare i ri në Uruguaj.

Sfidanti.al