Balliu dhe Meci luftuan, por Mbape-Nejmar-Kavani ishin pak si shumë!

Ivan Balliu do të mund t’u tregojë tifozëve shqiptarë dhe mediave të vendit të tij se çdo të thotë të kesh përballë treshen më të madhe sulmuese të Europës. Mbrojtësi i kombëtares kuqezi, në radhët e Mecit, u ndesh me Paris SG që tani ka një kombinim MCN, që i ka zënë vendin BBC-së së Realit dhe sidomos MSN-së së Barcelonës në renditjen e reparteve sulmues më të frikshëm të botës. MCN do të thotë Mbape-Kavani-Nejmar (nëse Kavanin e shkruajmë në gjuhën uruguajane (spanjolle), me “C”.

PSG fitoi 5-1 në fushën e Mecit, ndonëse Balliu me shokë rezistuan fort në pjesën e parë (në foto me numrin 25 pas golit), duke dalë në barazim 1-1. Kavani shënoi për epërsinë e hershme të superfuqisë së Ligës së Parë të Francës. Revierë barazoi, por u desh kartoni i kuq i vendasve, marrë nga Benua Asu-Ekoto (ndërhyrje ndaj Mbapesë) që ekuilibri të prishej plotësisht. Mbape realizoi në 59’, pastaj Nejmar në 69’, sërish Kavani në 75’ dhe Luka Mura në 87’, për të mbyllur festivalin e golave për të besuarit e trajnerit Unai Emeri.

Sfidanti.al