Esteban Cambiasso i thotë përfundimisht futbollit të luajtur. Mesfushori argjentinas shumë shpejt do të nisë një karrierë të re; atë të trajnerit për të cilën e ka marrë edhe certifikatën, lajm ky që bëhet i ditur nga e përditshmja argjentinase ‘El Clarin’. Është ky një evolucion logjik për një futbollitst që në fushë ka fituar shumë. Në fakt, Cambiasso është futbollisti i tretë argjentinas që ka fituar më shumë trofe, me 24 të tillë pas Messit me 31 trofe dhe Di Stefano me 26. I formuar te skuadra e Argentinos Juniors për t’u aktivizuar më pas te Real Madrid B, Cambiasso u konfirmua te Independiente e River Plate. Në vitin 2002, Cambiasso u kthye te Reali i Madridit me të cilin fitoi një Ligë Spanjolle, një Superkupë të Evropës, një Kupë Interkontinentale dhe një Superkupë Spanjolle. Në 2004 u transferua te Interi ku qëndroi deri në 2014 për t’u bërë një prej heronjve të Tripletës së famshme të zikaltërve në 2010 me fitoren e Ligës së Kampioneve, Kampionatit italian dhe Kupës së Italisë.
sfidanti.al