“Zbritje” çmimesh për Vitin e Ri: 10 euro për të parë Atletikon!

Atletiko e Madridit, në prag të Vitit të Ri, ka porositur një festë argëtimi për tifozët e vet në stadiumin “Vanda Metropolitano”, ku, më 31 dhjetor, do të prezantojë dy përforcimet e saj të para të sezonit dimëror. Sikurse paralajmërohet, çmimi i biletës për në stadium do të jetë 10 euro, ndërkohë që Atletiko e Madridit do të festojë përfundimin e ndalimit njëvjeçar që ajo të blinte futbollistë të tjerë dhe me të cilin FIFA e denoi këtë klub spanjoll, për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë transferimit të futbollistëve të rinj.

Dy pjesëtarë të përfaqësueses spanjolle nuk kanë mundur, deri tani, që të luanin me Atletikon, për shkak të dënimit të FIFA-s, kështu që, nga 1 janari i ardhshëm, ata të dy do të jenë në dispozicion të trajnerit Diego Simeone. Fjala është për Diego Kostën, të cilin e nxori “të panevojshëm” Antonio Konte te Celsi, dhe Vitolo që vjen nga Sevilja, por që, vjeshtën e kaluar, ka luajtur si i huazuar te Las Palmasi. Transferimi i Diego Kostës i kushtoi Atletikos 66 milionë euro, ndërsa ai i Vitolos – 36 milionë euro.

Sfidanti.al