Ndaj Atletikos nuk do të jetë Filip Kutinjo, por do të kthehet Usman Dembele. Sulmuesi 21-vjeçar mësohet se u fal nga trajneri i Barcelonës,Ernesto Valverde, i cili duket se do të sillet sipas variantit “tërhiq e lësho”, apo “gurin dhe arrën”. Pasi u ndëshkua për mungesën në stërvitje, koha e “karantinës” për francezin e talentuar përfundoi dhe ai pritet ta nisë nga stoli ndeshjen në fushën e Atletikos, sonte në orën 20:45.
Nuk dihet se çfarë ka ndikuar më shumë në sjelljen e trajnerit, konsideratat teknike dhe psikologjike, apo ato financiare. Lajmet kanë qenë se Barcelona po mendonte për ta larguar për fare “rebelin”, që dëmtoi disiplinën në skuadër, por rrezikonte të dilte me humbje ekonomike.
Marrëveshja me Dortmundin parashikon që katalanasit duhet të paguajnë plotësisht gati 140 apo 150 milionë eurot e premtuara për Dembelenë, ndërsa për momentin pagesat e mbetura po bëhen me këste. Po ashtu, nuk dihet nëse ndonjë klub (flitet për Liverpulin) është gati t’i japë Barcelonës aq para sa harxhoi për ta marrë sulmuesin.
Sfidanti.al