Nuk dëshiron të “përzihet” në punët e të tjerëve, pasi propozimi apo zgjedhja e presidentit nuk është detyrë e tij. Gjithsesi, trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, i ka disa fjalë për kandidatin e përfolur të bavarezëve, Oliver Kahn. “Oli është djalë i shtëpisë këtu tek Bajerni, – u shpreh kroati, për ish-shokun e tij të ekipit, – ai fitoi shumë në këtë klub, mjaft tituj të mëdhenj. Ai është personalitet i madh dhe shumë karizmatik”.
Kovaçi shton se do të jenë organet e klubit që do të bëjnë zgjedhjet, ndërsa nuk harroi të theksonte se Uli Hënesi dhe Karl-Hajnc Rumenige po bëjnë një punë shumë të mirë në “Alianc Arena”. Sidoqoftë, shqetësimi i tij kryesor është Bundesliga, ku Bajerni është prapa Dortmundit. “Nuk shqetësohem, – thotë trajneri, – synimi im, ashtu si i gjithë klubit, është titulli kampion, por ka ende kohë, është luajtur vetëm një e treta e sezonit”.
Sfidanti.al