Triumfi i Simeones, trajneri i Atletikos shpallet më i miri i vitit!

Nuk është një anketë dosido. Vlerësohet nga Federata Ndërkombëtare e Statistikave dhe Historisë së Futbollit, një nga institucionet më prestigjioze në botë në llojin e vet. Diego Pablo Simeone është shpallur si trajneri më i mirë i vitit 2016 pikërisht nga ky emër i madh, duke lënë prapa të shquarit e tjerë, Zinedin Zidan e Klaudio Ranieri.
Trajneri i Atletikos së Madridit nuk ia doli të fitonte ndonjë trofe, por arriti në finale e Ligës së Kampionëve, duke eleminuar Barcelonën dhe Bajernin, dhe duke u mundur vetëm me penallti nga Reali i Madridit, që te treja skuadra shumë superiore ndaj madrilenëve “të vegjël”. Simeone mori 113 pikë, ndërsa Atletiko doli në vendin e tretë në ligën spanjolle, duke luftuar për titull deri në javët e fundit.
Personaliteti i tij i fuqishëm e ka ndihmuar gjatë gjithë këtyre viteve, Atletikon, që të ndeshet si e barabartë me skuadrat më të mëdha të Spanjës dhe të Europës, edhe pse potenciali i saj është shumë inferior. Për Simeonen interesohet Interi i Milanos, por në klubin bardhekuq kanë besim se ai do të qendrojë në “Visente Kalderon”.

Sfidanti.al