Vazhdojnë të dalin gjëra “pikante” nga gjyqi për ish-drejtuesit e Barcelonës, dhe agjencisë së kontraktuar prej tyre për të njollosur disa nga vetë lojtarët apo njerëz të tjerë të futbollit. Pronari i kompanisë për të cilën bëhet fjalë, Karlos Ibanjez, tregoi para gjykatës se kishte punuar me drejtuesit e Barcelonës (ish-presidentin Bartomeu) dhe se kishte vendosur “të kontrollonte Pep Guardiolën”. Kjo sepse Guardiola ishte treguar kritik me drejtuesit katalanas, ndërsa në rrjetet sociale akuzohej nga kompania në fjalë se kishte 3 vjet që nuk fitonte kampionatin. Po ashtu, u sulmua një tjetër kritik si Zhaume Rures (Jaume Roures), i cili thoshte se Barça po drejtohej keq. “Rures ka pasur probleme me korrupsionin”, shkruhej në këtë faqe, ndërsa jepej i lidhur me ETA-n. Ibanjez tha se për çdo gjë ishte në dijeni klubi.
Sfidanti.al