Simeone: Dhamë shpirtin në fushë, më në fund ishim vetvetja!

Shpresat për titull kanë ikur e shkuar me kohë, dhe do të duhet ndonjë mrekulli e rrallë që të mbrohet ajo që u fitua vjet. Gjithsesi, tek Atletiko e Madridit ka entuziazëm pas fitores 3-2 ndaj Valencias, me një përmbysje të çmendur. Skuadra e trajnerit Simeone po humbiste 0-2 në pjesën e parë, një tablo që është parë shpesh këtë sezon. Gjithsesi, pas pushimit në fushë u pa kampionia e vërtetë, dhe golat u shënuan nga Mateus Kunja, Angel Korrea dhe Mario Hermoso. Dy të fundit ishin në minutat 90-të e 93-të.

“Ju thoni se ishte ndeshje e çmendur, dhe jam dakord, – tha argjentinasi, – në pjesën e parë nuk ishim vetvetja, ndërsa pas pushimit i thamë njëri-tjetrit se nëse do të humbasim, të paktën të humbasim me nder, duke luftuar dhe sulmuar. Për fat, tifozët ishin me ne, dhe na mbështetën deri në fund. Pjesa e dytë ishte prej Atletikoje, ne e merituam fitoren dhe dhamë shpirtin në fushë”.

“Ky po që është kampioni, – feston e përditshmja “AS” e Madridit, – Hermoso kulmon në minutën e 93-të përmbysjen e Atletikos. “Uanda” u kthye në një vullkan!” Atletiko është e katërta me 36 pikë dhe ka shpresë për t’u kualifikuar në Champions.

Sfidanti.al