Mijëra kilometra larg Krasnodarit, në qendrën luksoze të Madridit, presidenti i Realit, Florentino Perez, nuk ngurroi të sulmonte kreun e Federatës Spanjolle për shkarkimin e trajnerit të tij të ri, Hulen Lopetegi. Në një konferencë për shtyp që shërbeu më shumë për t’u justifikuar sesa për të prezantuar pasardhësin e Zidanit, Perez tregoi se përse është një nga njerëzit më të pasur në Spanjë, dhe shfaqi mentalitetin e tij prej njeriu që nuk duhet t’i preket as qimja, pra as të mos i diskutohen vendimet që merr.
“Ne arritëm një marrëveshje krejtësisht normale me trajnerin, që ai të vinte tek ne pas Botërorit, – tha Perezi, – do t’i paguanim klauzolën në kontratë sipas rregullave, ndërsa e bëmë lajmin publik për të larguar spekullimet dhe dëmet ndaj skuadrës, por morëm një reagim absurd nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit”.
Perezi komentoi vendimin e presidentit të Federatës, Luis Rubiales. “Nuk ka precedent për këtë që ka ndodhur, – gjykoi ai, – presidenti i Federatës reagoi sikur iu prek nderi, diçka që nuk ka vend në Spanjën e shekullit të XXI-të”.
Miliarderi pra mendon se nuk është ofendim për Spanjën kur i merret trajneri dhe njoftohet Federata vetëm 5 minuta para sesa lajmi të bëhej i përbotshëm. Gjithsesi, Perezi ka mendimin e tij, por shpresohet që të mësojë të sillet me trajnerët dhe të mos ndëhyjë në punët e tyre lidhur me lojtarët që duhet të vijnë ose të largohen nga skuadra, diçka që ka shumë precedentë, dhe që besohet se ishte shkaku kryesor i largimit të Zinedin Zidanit.
Sfidanti.al