“Vëllai i madh” Putin, ndërpret konferencën e Çerçesovit

“Këtu në Rusi ka shumë kisha, dhe kjo do të thotë prapambetje”, ishin fjalët e Napoleon Bonapartit (sipas Tolstoit), ndërsa niste luftën e madhe në Lindje. Nuk mund të themi se patjetër Napoleoni kishte të drejtë, por gjithsesi nuk mund të mohojmë se në Rusi autoriteti i “më të madhit” është gjithnjë i rëndësishëm. Presidenti i vendit, Vladimir Putin, e sheh veten si vëllanë e madh apo si babain e kombit, diçka që ende pranohet gjerësisht.

“Babai” Putin e tregoi përkujdesjen dhe afërinë me ekipin kombëtar kur nuk ngurroi ta merrte në telefon trajnerin Stanislav Çerçesov, ndërsa ky po jepte konferencën e shtypit pas ndeshjes ndaj Arabisë Saudite. “Më mori në telefon kreu i shtetit, – zbuloi vetë trajneri, – më bëri përgëzimet e tij dhe kërkoi që ato t’ia transmetoja edhe skuadrës, ndërsa shtoi se duhet të vazhdojmë të luajmë kështu”.

Çerçesovi u shpreh sypatrembur pas suksesit duke thënë se “kurrë nuk ia kemi pasur frikën askujt”, veçse shtoi se fitorja ndaj sauditëve ishte vetëm një hap përpara. “Përpara kemi dy ndeshje të tjera tepër të vështira duke nisur nga ajo me Egjiptin, – u shpreh ai, – nuk e dimë nëse Salah do të luajë apo jo, por edhe pa të, Egjipti është skuadër e fortë dhe shumë e respektuar”.

Sfidanti.al