Reali, si do ta marrësh Pogbanë, kur nuk shet dot yjet?!

Urdhëroni Garet Bejlin! Nuk ka blerës! Ja ku keni kartonin e Hames Rodrigezit! Si përgjigje vjen heshtja! Ja edhe Kejlor Navasi! Nuk entuziazmohet kush! E tillë është gjendja tek Reali, ndërsa trajneri Zinedin Zidan dëshiron me ngulm të forcojë skuadrën. Plot 130 milionë euro mund të kushtojë kartoni i Eden Hazarit, ndërsa 23-24 milionë shkon rroga e tij vjetore.

Për Pol Pogbanë do të duhen të paktën 150 milionë euro të tjera, në mos më shumë, veçse nëse nuk do të ketë “dalje” me shifra të mëdha, presidenti Perez nuk mund të shpenzojë për të marrë. Zidan mund të largojë edhe Iskon, Marselon, Kovaçiçin apo të tjerë, veçse nuk do të jetë e lehtë.

Nuk do të jetë e lehtë, ndaj edhe trajneri i Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, besohet se i ka ofruar shiritin e kapitenit Pogbasë, në përpjekje për ta bindur që të qendrojë në “Old Traford”.

Sfidanti.al