Anglezët dominojnë formacionin e Championsit, Reali jashtë

Pritej që të ndodhte pikërisht kështu, por ndoshta jo me “rezultat kaq të thellë”. Plot 9 lojtarë nga ekipet angleze u zgjodhën në listën e pretendentëve për formacionin e vitit të Championsit nga UEFA, dhe konkretisht 6 ishin nga Liverpuli dhe 3 nga Totenhemi. Portieri Alison, mbrojtësi i qendrës Van Dajk, mbrojtësit e krahut, Robertson dhe Aleksandër-Arnold, mesfushori Vajnaldum dhe sulmuesi Mane ishin të zgjedhurit nga Liverpuli, ndërsa Totenhemi pati Vertongenin, Sisokonë e Lukas Mourën.

Nga kampionia e Europës e tre sezoneve të kaluara, Reali, nuk u zgjodh asnjë lojtar, ndërsa ish-ylli madrilen, Kristiano Ronaldo, u fut në listë, tashmë në radhët e Juventusit. Nga Barcelona ishin portieri Ter Shtegen dhe superylli Lionel Mesi. Pesë lojtarë ishin nga Ajaksi: De Ligt, Zijeç, De Jong, Neres dhe Tadiç. Gjithsej, në listë janë 20 lojtarë nga të cilët do të përcaktohet formacioni.

Sfidanti.al