Reali nuk të falë, do të padisë Interin se ka vepruar mbas shpinës

Reali jo vetëm që nuk ka ndërmend të lejojë që Modriçi të shpërngulet në “Xhuzepe Meaca”, por synon që Interi të dënohet, sepse është përpjekur që t’i sigurojë shërbimet e mesfushorit kroat mbas shpinës së klubit “mbretëror”. Në fakt, Modriçi shpresonte që të niste këtë verë një aventurë të re, madje, sikurse thuhet, ai ra dakord në parim me “neroaxurët” për një kontratë katërvjeçare dhe një pagë 10 milionë euro në vit.
Nga ana tjetër, sikurse pretendohet, ka pasur një marrëveshje xhentelmenësh me presidentin e Realit, Florentino Perez, se ai (Modriçi) do të lejohej të largohej nga klubi madridas, nëse Reali do ta fitonte për herë të tretë radhazi Ligën e Kampioneve, por Perezi nuk e mbajti fjalën, ndërkohë që i bëri të ditur futbollistit kroat se ai nuk do ta linte atë që të ikte.
Sikurse bën të ditur “Kadena SER”, njeriu nr.1 i Realit, për më tepër është nxehur lidhur me mënyrën sesi Interi kishte vepruar, duke i bërë të gjitha përpjekjet në drejtim të Modriçit mbrapa kurrizit të Realit. Kështu që, pavarësisht, nga marrëdhëniet e mira që kanë mes tyre Reali dhe Interi, Florentino Perezi ka lënë të kuptohet se ai do ta padisë Interin në FIFA.

sfidanti.al