Nuk mundi të krijonte një diferencë të rëndësishme me vendin e dytë, dhe nuk përfitoi dot nga ndalesa e Seviljes. Reali u ndal në “Bernabeu” nga Elçe në barazim 2-2, dhe mediat spanjolle nxituan të kritikonin ekipin “me dy fytyra”. Kur është në ditë të mirë, vështirë të ndalet, por kur nuk është i humb pikët dhe mund të humbasë ndeshjet siç ndodhi ndaj Sherifit të Tiraspolit në Champions.
Gjithsesi, trajneri Karlo Ançeloti “u tradhëtua” këtë herë nga disa nga lojtarët kryesorë. “Një version të tillë të Alabës nuk e kishte provuar më parë “Bernabeu”, – shkruan “Marka”, – austriaku që ka qenë këtë sezon lideri i mbrojtjes, këtë herë nuk ishte në nivelin e tij”. Modriç po ashtu nuk mundi të luante në standardet e përhershme, dhe ekipi e ndjeu këtë. Një tjetër “minus” ishte Eden Hazar, të cilit Ançeloti i besoi rolin e titullarit, por belgu nuk luajti ndeshje të denjë për një titullar. Lukas Boje dhe Pere Mila shënuan për Elçen, Benzema (që u dëmtua më pas) humbi penallti, ndërsa Modriç realizoi po me 11 metërsh dhe Militao barazoi në 2-2. Reali kryeson La Ligën me 50 pikë ndaj 46 të Seviljes, ndërsa Betisi është në vend të tretë me 40.
Sfidanti.al