Nëse ka një lojtar që ka përfituar më shumë nga largimi i Kristiano Ronaldos, ky është Karim Benzema. Sulmuesi francez realizoi dy herë ndaj Leganjesit, në suksesin 4-1 të Realit në La Liga, dhe është me mesataren e CR7-ës, pasi ka 4 gola në 3 ndeshje të këtij sezoni. Vjet, në 32 takime arriti të gjente rrugën e rrjetës vetëm 5 herë.
Natyrisht, ai është shumë prapa Ronaldos për numrin total të golave në kampionatin spanjoll, dhe as që besohet se do ta arrijë, por e kaloi në një statistikë tjetër. Leganjesi ishte ekipi i 33-të në La Liga ndaj të cilit shënon Benzema, ndërsa Ronaldo i shënoi 32 ekipeve. Në krye, ashtu siç pritet është Lionel Mesi (36). Tashmë, mund të thuhet se Reali i Lopetegit po luan me sulmuesin klasik me numrin 9, dhe jo me anormalitetin e mëparshëm, ku golshënuesi më i mirë ishte numri 7.
Sfidanti.al