“Më shumë luajti si sulmues sesa si mbrojtës, dikush duhet t’i kujtojë pozicionin që ka”. Kështu e përshkroi gazeta “Marka” paraqitjen e Sergio Ramosit ndaj Espanjolit, në fitoren e vuajtur 1-0. “Ndoshta Lopetegi duhet ta ketë vënë re”, ishte kritika për trajnerin që vazhdoi me fjalët se “e vështirësoi ndeshjen me formacionin që hodhi në fushë dhe me zëvendësimet, që nuk përmirësuan asgjë, e shpëtoi Asensio (në foto)”.
Lopetegin e lanë në baltë edhe sulmuesi Benzema, që u kthye në versionin “apatik” të sezoneve të kaluara, por edhe Lukas Vaskez, që duket i vetëkënaqur. Për fat, ndaj Espanjolit, pati disa lojtarë që bënë detyrën.
Odriozola, në të majtë, ishte më i miri i Realit, duke e bërë ndoshta pak xheloz Karvahalin. Modriç ishte më i miri mesfushor, edhe pse nuk është në kulm të formës. Po ashtu, të fortë u treguan Isko, Naço dhe portieri Kurtua. Po Kasemiro? Aventurat e Ramosit e detyruan të ishte edhe mesfushor qendre, edhe mbrojtës qendre.
Sfidanti.al