Barcelona e kapërceu edhe një pengesë tjetër të vështirë, madje, duke fituar bindshëm 5-0 ndaj Betisit andaluzian. Të gjithë të pestë golat, ekipi katalonjas i shënoi në pjesën e dytë dhe, në qendër të vëmendjes, ishte përsëri Lonel Mesi me dy golat e tij dhe një asist goli, por edhe më disa lëvizje të tij mjeshtrore të mahnitshme që shkaktuan ovacione dhe duartrokitje edhe nga tifozët vendas të Betisit në stadiumin “Benito Vilamarin”.
Kapiteni i ekipit vendas, veterani Hoakin Sançez, nuk e mbante dot inspirimin e tij nga loja e futbollistit të madh argjentinas, ndërkohë që vlerësimin e tij e bëri edhe ish-portieri i Realit të Madridit dhe gardiani i tanishëm i Betisit, Antonio Adam:
“Mesi është, me të vërtetë, spektakolar. Në pjesën e parë, ai dukej sikur vetëm ecte në fushë, kurse në pjesën e dytë ai “kapi” katër topa, dy i dërgoi në rrjetë, kurse dy të tjerë i dha asiste të frytshëm. Ai luan tamam futboll, e bën atë më të bukur”, tha Adamsi në “Kadena Ser”.