Zinedin Zidane po bën një punë mjaft mirë me Realin e Madridit, duke i shpërndarë, gjithnjë e më shumë, dyshimet që lindën për aftësitë e tij si trajner, kur ai e mori drejtimin e ekipit “mbretëror”. Me fitoren që arriti, të shtunën e fundit, ndaj Sportingut të Hihonit, Reali vazhoi serinë e rezultateve të shkëlqyera nën drejtimin e Zidanes në ligën spanjolle Primera. Qëkur ai e mori ekipin, më 4 janar të këtij viti, nga Rafael Benitezi, Zidane, në 33 ndeshje të zhvilluara, ka grumbulluar një numër të pazakontë prej 86 pikësh, duke vendosur një rekord në Primera sa u përket numrit të ndeshjeve të luajtura dhe pikëve të grumbulluara.
Pasi grumbulloi më shumë pikë sezonin e kaluar, qëkur mori drejtimin e ekipit, 53 pikë pas 20 ndeshjesh që, sidoqoftë nuk ishin të mjaftueshme për ta arritur Barcelonën në fund të kampionatit, Zidane vendosi një rekord të ri edhe pas 33 ndeshjesh të zhvilluara në kuadrin e kampionatit spanjoll. Zidane, si trajner i Realit, në Primera, ka shënuar 27 fitore, pesë barazime dhe vetëm një humbje, edhe atë nga Atletiko e Madridit, sezonin e kaluar, në “Santiago Bernabe”.
Interesant është fakti se, pas 33 ndeshjesh në Primera, më pak pikë kanë grumbulluar edhe Pep Guardiola me Barcelonën dhe edhe Zhoze Murinjo me Realin e Madridit (përkatësisht, 82 dhe 80), ndërsa duhet të kihet parasysh se ata kanë qenë trajnerët më të suksesshëm të këtyre dy ekipeve gjatë viteve të fundit, kurse trajneri legjendar i Realit të Madridit, Migen Munjoz, që ka drejtuar ekipin, në fund të viteve ’50, pas 33 ndeshjeve, ka grumbulluar 84 pikë.