Një shishe e goditur për inat të kartonit të Pol Pogbas

Mançester Junajtidi nuk arriti të fitojë (1-1), kësaj herë, ndaj Uest Hemit, para tifozëve të vet në stadiumin “Old Traford”. Edhe në këtë ndeshje, në qendër të vëmendjes ishte trajneri i ManU-së, Zhoze Murinjo, që u urdhërua të largohej nga stoli i drejtimit gjatë pjesës së parë të saj. Zhozeja goditi me forcë, më këmbë, një shishe, pasi gjyqtari i ndeshjes i tregoi kartonin e verdhë Pol Pogbas, kështu që një gjest i tillë i trajnerit portugez mjaftoi që ai (gjyqtari) ta dërgonte Murinjon në tribunë.

Mediumet anglezë shkruajnë se, duke pasur parasysh se ky është dënimi i dytë i tij brenda më pak se një muaji, Murinjo do të mund të dënohet me një pezullim prej dy ndeshjesh, kështu që pritet që problemet e “specialit 1” të shtohen edhe më shume, ndërkohë që “djajtë e kuq” nuk ndodhën në ndonjë formë për t’u pasur zili, duke u ndodhur, tani, në Premier Ligë, 11 pikë pas Çelsit kryesues.