Tragjedia ishte e tmerrshme, mori gati 80 jetë, mes tyre edhe të shumë futbollistëve. Fatkeqësi me shkronja të mëdha në tokën kolumbiane ku u rrëzua avioni që kishte brenda edhe skuadrën nga Brazili, me pjesën më të madhe që ndërruan jetë në vend, dhe me të tjerë që edhe në frymën e fundit nuk deshën të largoheshin nga kjo botë pa u lidhur me njerëzit e dashur. Kjo histori që të nxjerr lot i përket portierit të ekipit Çapekoense, Danilos, i cili ishte ende gjallë, i plagosur rëndë, ndërsa aeroplani çarter ishte rrëzuar. Ai mori celularin dhe i telefonoi gruas së tij në Brazil, në kohën që qendronte i shtrirë në shtrat në spitalin e Medelinit. Nuk dihet se cilat ishin fjalët e tij të fundit, ndoshta fjalë shprese, por fati nuk e desh që të takohej përsëri me njeriun e zemrës. Pak ditë më parë, ai kishte postuar këtë foto të tij me të shoqen, duke e cilësuar atë “dashuria ime”. Ai humbi jetën pak kohë më vonë nga plagët e marra.
Nga 22 lojtarë të Çapekoenses, tre arritën t’i mbijetonin përplasjes së tmerrshme. Portieri tjetër Xhekson Folman, dhe futbollistët Alan Rushel e Helio Hermito ishin me më shumë fat. Bashkë me ta, mbijetuan edhe dy pasagjerë, pra gjithsej pesë jetë të shpëtuara nga 81 që ishin në bord. Çapekoense po shkonte në Medelin për të luajtur finalen e Kupës Sudamerikane ndaj Atletiko Nasionalit, ndërsa udhëtimi ishte nga kryeqyteti i Bolivisë, Bolivia, për në qytetin e madh kolumbian, një udhëtim që nuk përfundoi kurrë për ata që vdiqën.