Stoperi i Barcelonës, Zherar Pike, nuk e fshehu dot zhgënjimin e tij të madh, pas barazimit 1-1 të Barcelonës, në stadiumin e San Sebastianit, “Anoeta”, të Realit Sosiedadit, ndërkohë që ai u tregua mjaft autokritik, por nuk kurseu as shokët e tij të ekipit, duke u thënë atyre se, më një lojë të tillë, Barcelona nuk do të mund të shkojë larg, pra nuk do të mund që ta fitojë titullin e kampionit. “Të gjithë ne jemi fajtorë, ata na mposhtën në çdo segment të lojës. Me një lojë të tillë, vështirë se ne do të mund ta fitojmë titullin e kampionit të Primeras”, deklaroi qendërmbrojtësi barcelonas.
Por, kjo deklaratë e tij mori një përgjigje ekspres nga trajneri Luis Enrike, të cilit ajo nuk i pëlqeu aspak. “Nuk është ndonjë gjë e zgjuar që të japësh deklarata të tilla, kur sapo ka mbaruar ndeshja dhe je akoma nën përshtypjet e saj. Deklaratat, menjëherë pas ndeshjes, gjithnjë, janë të rrezikshme, në shumicën e rasteve, nuk janë realiste, kështu që futbollisti që i jep ato, duhet të tregohet më i mënçur dhe më gjakftohtë”, deklaroi Enrike, duke aluduar hapur për deklaratën e Zherar Pikes.