Mediumet e huaj janë të bindur se Nejmari, qysh gjatë kësaj vere, do të largohet nga Barcelona. Thuhet se ky futbollist brazilian ka marrë një ofertë fantastike nga PSZH-ja dhe, sipas medias franceze, ai e ka pranuar këtë ofertë, ndërkohë që, si arsye kryesore të largimit të tij eventual sillet fakti se ai te Barcelona ndodhet në plan të dytë në raport me megayllin e ekipit katalonjas, Lionel Mesi.
Kështu vinte në dukje, dje, “Skaj Sporti” prestigjioz, ndërsa theksonte se vetëm një mrekulli do të mund ta mbante Nejmarin në Kamp Nou! “Vetëm po të ndodhë ndonjë mrekulli, Nejmari do të vazhdojë që të qëndroje te Barcelona”, thotë një burim i afërt me Nejmarin, duke shtuar se “ai, duke qenë 25 vjeç, mendon se ende ka kohë që ta fitojë ‘Topin e artë’, duke konsideruar, ndërkohë, se ai mund të bëhet futbollisti më i mirë i botës në ndonjë klub tjetër”. Thuhet përgjithësisht se PSZH-ja është gati që ta blejë klauzolën e shitjes së Nejmarit me vlerë prej 222 milionë eurosh!